Bylykbashi
Bylykbashi ose bylybashi ishte një gradë ushtarake në ushtrinë osmane, që i përgjigjet drejtuesit të një bylyku (kompanie). Bylyku përbëhej nga 100-250 ushtarë me pagë, por shifra ndryshon sipas periudhave. Përgjithësisht, bylykbashi funksiononte si drejtues i forcave të ruajtjes së rendit dhe qetësisë në qytet.
Bylykbashët në viset shqiptare
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Bylykbashi administronte malin, që i afrohej nahijes për nga shtrirja tokësore, dhe përfshinte sipas rastit një ose më shumë bajrakë. Më 1831 dy bajrakët e Hotit dhe dy të Grudës konsideroheshin një mal. Më 1861 bajrakët Triesh, Kojë e Fundna përbënte një mal, bylykbashi i të cilit rrinte në Podgoricë. Sipas Salnamesë së Vilajetit të Shkodrës e vitit 1892 Malësia e Shkodrës ndahej në dhjetë male: Hot (dy bajrakë), Grudë (dy bajrakë), Kelmend (katër bajrakë), Kastrat, Shkrel, Reç-Lohe (dy bajrakë), Rrjoll, Postrribë (tre bajrakë), Shllak-Temal (dy bajrakë), Dukagjin (gjashtë male).[1]
Emërimi i bylykbashit bëhej nga autoritetet e larta me propozim të valiut, zgjidhej nga paria myslymane e qytetit dhe si kriter ishte që bylykbashi duhej të gëzonte besimin e malësprëve, të kishte lidhje farefisnore me malin që do të administrohej dhe të njihte mirë të drejtën zakonore. Duhet të shihte paditë private dhe për të siguruar rendin e qetësinë në themel të zakoneve të popullsisë së maleve.[1]
Listë me bylykbashë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Hasan agë Hoti (1738). Hysejn Hoti (1813) kapubylykbash i Pesë Maleve duke qenë bylykbash i Hotit. Sylejman Hoti, bylykbash i Dukagjinit në Kir, vritet nga dukagjinasit. Mehmet Hoti, bylykbash i Grudës (shkarkohet më 1831). Abdyl Hoti, bylykbash i Hotit (pushohet më 1897)[1]. Me rregull trashëgimie zakonisht një anëtari të familjes së Hotënve në Shkodër i është dhënë ky emërim për njërin mal[2].
- Jusuf agë Kuka, vëllai i Oso Kukës, qetëhuda (qehaja) i kalasë së Shkodrës, timarli dhe bylykbash i malit Reç-Lohe[2].