Edomi
Edomi është emri i vendit dhe i popullit të vendosur fillimisht në Transjordani, midis Amonit në veri, Detit të vdekur dhe Aravës në perëndim dhe shkretëtirës arabe në jug dhe në lindje. Kufiri i Edomit me atë të Amonit ishte lumi Zered (në fakt një rrëkë). Kryeqyteti ishte Bocra. Edomasit ishin të njohur për urtësinë e tyre[1]. Për shkak të tokës së tyre të lërueshme të kufizuar, ata u detyruan të bëhej një komb tregtar: ata mund të kontrollonin udhat tregtare si për. sh. rrugën e mbretërve. Edomi përmendet në Bibël si dhe nga faraoni Seti I rreth vitit 1215 p.e.s., si në analet e fushatës së Ramsesit III. (rr. 1186–1155 p.e.s.). Edomasit identifikoheshin me një popull semitik që arriti në krahinën e Edomit në shek.XIV p.e.s.. Pas një periudhe rënieje Edomin e pushtuan babilonasit. Pas kësaj disfate ata emigruan në krahinën jugore të Judës, ku vendi i tyre i ri quhej Idumeja, kurse banorët idumas. Herodi ishte idumas.
Meqenëse edomasit kishin pushtet për të penguar hyrjen në Detin e kuq, izraelitët kishin shpesh përleshje me ta[2]. Nën sundimin e Davidit Edomi ishte shtet vasal, por pas vdekjes së Solomonit, edomasit morën përsëri pavarësi[3] për shkak të minierëve të tyre të bakrit, dhe kjo ishte humbje e madhe për izraelitët. Nën sundimin e mbretit judeas Amacja, Edomi u bë përsëri shtet vasal, por kjo mori fund kur Izraelin e pushtuan babilonasit.